Qilimi më i madh i kuq i shtruar ndonjëherë, shtrëngimi i përzemërt i duarve dhe një prej ceremonive më madhështore për një pritje zyrtare treguan se sa rëndësi dhe shpresë i dha Athina zyrtare vizitës së kryeministrit kinez Wen Jiabao.

Ai mbërriti në kryeqytetin grek i shoqëruar nga tetë ministra, drejtori i Bankës Qendrore të Kinës dhe shumë biznesmenë.

Pas një takimi me kryeministrin grek Papandreu dy udhëheqësit dhe ministrat përkatës kanë nënshkruar rreth 11 marrëveshje dypalëshe kryesisht në fushën e ekonomisë dhe tregëtisë, që përfshijnë midis të tjerash ndërtimin e një qendre tregtare me vlerë 150 milionë euro si dhe zgjerimin e kompanise “Cosco”, edhe në portin e Selanikut, një investim që pritet të kalojë vlerën e 500 milionë eurove.

“Jam i bindur se me viziten time në Greqi marrëdhëniet tona dypalëshe dhe bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm do të zhvillohen më shumë”, është shprehur Jiabao.

Gjithashtu grupi qeveritar kinez i jep rëndësi të madhe portit të Pireut të cilin synon ta shndërrojë në një portë hyrjeje në Europë për mallrat nga Kina. Ajo çka është komentuar si një votë besimi që i jep Kina, Greqisë në këtë periudhë krizë është blerja nga ana e Pekinit të bonove greke të thesarit, ashtu siç ka deklaruar kreyministri kinez.

“Falenderoj nga zemra kryeministrin për fjalët e tij të mira. Ne gjithashtu shpresojmë për përforcimin e këtyre marrëdhënieve që janë në një nivel të kënaqshëm”, tha Papandreu.

Ditën e dielë Uen Xhiabao do të takojë presidentin e vendit Karolos Papulias, do të mbajë një fjalim në parlamentin grek, ndërsa stacionet e ardhshme të turit të tij në Europë janë Italia, Belgjika dhe Turqia.

Top Channel