Arratiset i burgosuri për vrasje

02/10/2010 18:40

Për shkak të sjelljes së mirë në qeli dhe justifikimit se shpesh ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi ka përfituar tetë orë leje për të shkuar në shtëpinë e tij në Kiras të Shkodrës, Admir Tafili, 41 vjeç, është arratisur në mënyrë spektakolare. (UPDATE)

Largimi është bërë në prani të policisë së burgjeve dhe policisë së Lezhës e cila po e ruante jashtë shtëpisë së tij sa ai të çmallej me familjarët.

Së bashku me të ndodhej edhe i vëllai Genc Tafili i dënuar përjetësisht për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit, i cili po ashtu kishte përfituar një leje pak orëshe për të shkuar në shtëpi.

Genc Tafili nuk është arratisur, ndërkohë që i vëllai është ende në kërkim nga policia në veri të vendit.

I dënuar me 25 vjet heqje lirie, 41 vjeçari Admir Tafili është nga familja Tafili, i ati i të cilit së bashku me të vëllanë, Gencin, qëlluan për vdekje drejtorin e policisë së Shkodrës, kolenel Arben Zylyftarin.

Admir Tafili është arrestuar në vitin 2001 dhe akuzohet t’i ketë bërë pritë për qëllime hakmarrjeje ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjetër Petrushi të cilin i pandehuri e akuzonte se i kishte vrarë të atin Bahri Tafilin.

Admir Tafili sipas burimeve të sigurta të policisë përpara arrestimit në Shqipëri kishte kryer një arratisje po të bujshme edhe në shtetin zviceran ku po vuante dënimin për çështje droge.

Pasi u arratis nga Zvicra, sipas të njëjtave burime, ai është kthyer në Shkodër duke përpiluar brenda një kohe të shkurtër planin e hakmarrjes nga ku në një pritë plagosi ish-shefin e Malësisë së Madhe.

Admir Tafili gjatë këtyre viteve është transferuar shpesh nga njeri burg i sigurisë së lartë në tjetrin, më i fundit i të cilit ishte kalimi nga burgu i Burrelit në atë të Shënkollit.

Në shkurt të 2009-ës, Tafili doli para gjykatës për të dëshmuar mbi një arratisje tjetër të bujshme atë të Burrelit ku duke prerë hekurat e burgut dy të dënuar të përjetshëm dolën nga sektori “B” i këtij burgu për t’u arrestuar orë më vonë.

Në atë kohë Admir Tafili ishte magazinier i ushqimit të të dënuarve në këtë burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA