Muaji mars i vitit të ardhshëm, mund të jetë koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ky është mendimi i ish presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, i shprehur në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku mbajtjen e tyre e konsideroi si të pashmangshme.

“Duhet të bëhen përgatitje të mira për të pasur një proces fer zgjedhor, i cili do të jepet shansin e barabartë për të gjithë njerëzit e Kosovës për  të shprehur vullnetin e tyre dhe kjo nënkupton kompletimin e shumë elementeve që janë të nevojshme, duke pasur parasysh në radhë të parë ligjin mbi zgjedhjet, që duhet të pësojë ndryshime esenciale në çështje kyçe”, deklaroi Sejdiu.

“Unë them se marsi mund të jetë një muaj i përshtatshëm”, shtoi Sejdiu.

Gjatë intervistës ai e konsideroi si të panatyrshme dhe të paarsyeshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese që çoi në dorëheqjen e tij.

“Unë them se ka qenë një rrjedhë e panatyrshme dhe një vendim jo i arsyeshëm, i ngutshëm. E kam pranuar si të tillë, në kuptimin e ndjenjës sime për respekt ndaj institucioneve të vendit. I panatyrshëm ka qenë për shumë arsye, të cilat deri tash edhe i kam shpjeguar në opinion. Nga momenti i idesë për të nxitë pa përputhshmërinë e mbajtjes së dy cilësive, deri tek zhvillimet e tjera. Unë them në atë kohë edhe është instruktuar nga njerëz të caktuar se si të bëhet kjo punë dhe është instruktuar për çudi, tek deputetët që kanë miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi Sejdiu.

Top Channel