I ftuar në Gjenevë nga Instituti Ndërkombëtar për Studimet Strategjike, ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë bombardimeve të Aleancës ndaj Serbisë, Jamie Shea, ka marrë pjesë në debatin “Siguria në Europë. NATO përballë BE-së dhe Moskës”.

I pyetur nëse situata aktuale në Kosovë ka justifikuar bombardimet e NATO-s në Serbi, Jamie Shea, tashmë drejtor politik pranë zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s u përgjigj për Top Channel:

“Situata e mirë në Kosovë dhe avancimi i proceseve politike dhe ekonomike deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës, e ligjëruar tashmë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, mund të thuhet lirisht se ndërhyrja dhe prania e trupave të Aleancës në rajon, jo vetëm që është e justifikueshme, por shndërroi Kosovën në faktor paqeje dhe stabiliteti”, deklaron zoti Shea.

Tashmë trupat e NATO-s në rajon janë reduktuar dhe vazhdojnë të reduktohen, dëshmi e qartë kjo sipas Shea që situata në rajon sa vjen e përmirësohet.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për disa ide të ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit të territoreve në rajon, hodhi poshtë këto ide duke i quajtur spekulime dhe tha se NATO dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojnë kurrësesi ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve.

Top Channel