Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se klima politike e krijuar në Kosovë imponon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Ushtruesi i detyrës së presidentit në një intervistë për BBC deklaroi se çështja qëndron në faktin se sa kohë do të shfrytëzohet për përgatitjen e zgjedhjeve dhe sa të përgatitura janë institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, zgjedhjet e mundshme të parakohshme do të shtyjnë për një kohë edhe bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet teknike, meqë sipas tij, Kosova duhet të hyjë në dialog me institucione të qëndrueshme.

“Nëse shkojmë drejt zgjedhjeve mendoj se duhet të pritet krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira dhe nga vota e qytetarëve të Kosovës për të marrë përgjegjësinë dhe për të bërë atë dialog ose bisedime. Mendoj se për një kohë do të shtyhen këto bisedime”, tha Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, që mori këtë funksion pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu dy ditë më parë, i ka cilësuar si të “ftohura” marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit PDK-së dhe LDK-së, të cilët sipas tij nuk kanë pasur takime të drejtpërdrejta.

“Tani për tani nuk ka patur kontakte. Mund të ketë patur kontakte individuale, por kontakte zyrtare mes krerëve të dy partive politike nuk ka patur, por unë pres që gjatë këtyre dy ditëve të realizohen ato”, tha Krasniqi.

Top Channel