Një video në të cilën duken qartë anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë “Kristi Avgji”, të cilët zbresin nga një autobus i policisë greke dhe marrin pjesë në një miting kundër emigrantëve, është publikuar në internet.

Sipas videos zbulohet qartë marrëdhënia protektive që kanë organet policore me organizatën ekstremiste. Ngjarja ndodhi 2 ditë më parë në një lagje të Athinës të populluar nga një numër i madh emigrantësh. Pasi demonstruan kundër të huajve, anëtarët e “Kristi Avgji”, hipën sërish në autobus për t’u larguar në drejtim të paditur.

Pas publikimit të pamjeve reaguan ashpër organizatat e majta të cilat i bënë thirrje Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit në Greqi të hetojë çështjen dhe të vërë para përgjegjësisë shefin e repartit të ndërhyrjes së shpejtë, me dijëninë e të cilit është kryer edhe transporti i anëtarëve të “Kristi Avgji”.

Nga ana e saj Drejtoria e Policisë së Atikës hodhi poshtë bashkëpunimin mes policisë dhe ekstremistëve edhe pse në video kjo duket qartë. Policia thotë se i ngjiti eksremistët në autobusin e saj për t’i kontrolluar. Sakaq ministri grek i Mbrojtjes së Qytetari ka deklaruar se do të kërkojë një hetim për këtë çështje e më pas do të dalë me një qendrim zyrtar.

Top Channel