
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili pasoi dorëheqjen e presidentit Sejdiu, në radhë të parë nuk ka respektuar Kushtetutën. Këtë e thotë analisti Ramush Tahiri.
Sipas tij, kushtetuesja në krye me kryetarin e saj Enver Hasani pasuar nga trupi gjykues kanë shkelur shumë rregulla në proçesin ndaj Fatmir Sejdiut.
Duke numëruar shkeljet e ligjit, Tahiri thotë se kryetari Enver Hasani duhet shkarkuar.
“Shkelja e parë është se numri prej 31 deputetëve eshte zvogëluar dhe gjykatës i është dashur të marrë nje vendim të ri. Shkelja tjetër është se vendimet shpallen në fletoren zyrtare, por kjo nuk është bërë. Tjetër shkelje ëhstë se kryetari i gjykatës ka bërë komentim politik që është e dënueshme dhe për këtë duhet të përjashtohet. Shkelja tjetër është se çështja për të cilën është marrë vendimi ndaj presidentit vjetërohet nëse nuk ngrihet në afat gjashtë muajsh prej datës që është evidentuar apo ka ndodhur shkelja”, deklaron Tahiri.
Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës brenda dy javëve do e kryesojë sërish presidencën. Ai thotë se, kjo është edhe marrëveshja ndërmjet koalicionit.
“Marrëveshja ndërmjet partnerëve të koalicionit është që LDK-ja duhet ta ketë kandidatin për president dhe të zgjidhet presidenti. Presidenti zgjidhet në tre radhë votimesh votimi i parë shkon me 80 vota, edhe i dyti me 80, ndërsa votimi i tretë është me 61 vota. Nëse s’ka një marrëveshje atëherë shkohet në një krizë qeveritare dhe në zgjedhjen e qeverisë së re”, sqaron Tahiri.
Por ndryshe nga ai mendon analisti Halil Matoshi.
“Në këtë rast LDK-ja mund ta propozojë një kandidat, por nuk ka shanse teorike që një kandidat të kalojë raundin e parë të votimeve ku i duhet shumica absolute prej 80 deputetësh që është e paimagjinueshme, në radhën e dytë të votimeve duhen dy të tretat që janë 72 deputetë, që për mua është e paimagjinueshme dhe në votimin e tretë është shumica e thjeshtë që është 50+1. Në asnjë rrethan një kandidat i LDK-së në kuvendin e Kosovës mund të kalojë”, shprehet Matoshi.
Ai thotë se, gardiani i Kushtetutës do të duhej ta respektonte atë. Ndërkohë, tani e tutje sipas tij, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Sipas kushtetutës kryesinë e vendit e merr zoti Jakup Krasniqi i cili nuk ka fuqi politike për vendime të tjera përveç shpërbërjes së kuvendit aktual dhe të shpallë zgjedhjet e lira dhe përgatisë ato. Kosova prej sot kalon në zgjedhje të lira të jashtëzakonshme”, thekson ai.
Gjykata Kushtetuese të premten ka publikuar vendimin më shumicë votash me të cilin ka konfirmuar se, presidenti në largim Fatmir Sejdiu ka shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës duke mbajtur edhe postin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Top Channel