Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i kthyer para pak castesh në Prishtinë nga Nju Jorku, e ka cilësuar si “të ngutur” vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e akuzon për shkelje të dokumentit themeltar.

Duke folur nga aeroporti i kryeqytetit kosovar, Sejdiu ka deklaruar se lajmin e ka marrë vesh nga mediat dhe se organi gjyqësor nuk ia ka dorëzuar ende vendimin atij.

Sejdiu ka theksuar se e njeh mirë Kushtetutën e Kosovës, në të cilën sipas tij është fshirë pika që nuk lejon mbajtjen njëkohësisht të dy posteve.

“Unë jam njeri që i respektoj institucionet dhe vendimet e tyre. Jam i ndërgjegjshëm për punën që kam bërë. Gjithcka e kam bërë në interes të vendit. Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë”, ka pohuar Sejdiu.

Lidhur me hapat që do të ndërmarrë në të ardhmen, kreu i shtetit është shprehur se gjykata nuk sugjeron se si duhet të veprohet.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi mbrëmë se, “presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës”, përkatësisht nenin 88.2 të saj.

Top Channel