Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka deklaruar se Prishtina është e gatshme të fillojë menjëherë bisedimet me Serbinë, por vetëm si dy shtete të pavarura.

Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve “INA”, Sejdiu ka theksuar se në këto bisedime duhet të trajtohen vetëm cështje teknike, të interesit të ndërsjellë.

“Ne duhet të bisedojmë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, për bashkëpunimin ekonomik dhe atë rajonal. Duhet të bisedojmë për cështje që kanë të bëjnë me fushën e energjisë, por kryesisht për personat e zhdukur dhe kthimin e banorëve të larguar në Kosovë”, ka pohuar Sejdiu.

Kreu i shtetit kosovar e ka vënë theksin edhe tek cështja e veriut, ku sipas tij ekziston një tension “artificial”.

Sejdiu ka shtuar më tej se në javët e ardhshme do të vijnë njohjet e reja të shtetit të Kosovës, pas miratimit të rezolutës së re në OKB.

“Unë besoj se në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm për Kosovën do të kemi lajme të mira. Sic dihet, është e drejtë e cdo vendi të zgjedhë momentin e duhur për të njohur shtetin e Kosovës”, ka shtuar Sejdiu.

Top Channel