Gjykata Kushtetuese e Kosovës theu heshtjen, pas zërave në shtypin e ditës mbi vendimin për presidentin Sejdiu.

Në një komunikatë të publikuar gjatë pasdites thuhet se gjykata ka vendosur që presidenti Fatmir Sejdiu e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës duke mbajtur edhe postin e kryetarit të LDK-së.

Çështja e bujshme sqarohet në vetëm pak rreshta, në fund të një komunikate për shtyp gjatë së cilës më parë sqarohen çështje të tjera te shqyrtuara nga kjo gjykate.

Komunikata e identifikon çështjen si “Rasti KI 47/10 : Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, president i Republikës së Kosovës”.

Më tej thuhet se gjykata konstatoi, me shumicë votash se kërkesa e dorëzuar me 25 qershor 2010 është e pranueshme.

Gjykata gjithashtu konstatoi se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88.2, nga shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike “Lidhja Demokratike e Kosovës” thuhet në njoftimin zyrtar në faqen e kësaj gjykate.

Prej dy ditësh shtypi kosovar shkruante se mbledhja ku ishte marrë ky vendim ishte zhvilluar të mërkurën, por deri tani askush nga kushtetuesja nuk e kishte pohuar një gjë të tillë.

Ekspertë të interpretimit të Kushtetutës thonë se në rastin kur gjykata konstaton shkelje serioze të saj nga presidenti, atëherë “Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mund ta shkarkonte edhe atë me 2/3 e votave të kualifikuara”.

Sipas ekspertit Riza Smaka, nëse këto vota nuk do të arriheshin, atëherë pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja do të mbetej “status quo” deri në përfundim të mandatit të presidentit.

Top Channel