
Sipas burimeve, Kostas Karamanlis dyshohet se ka pasur dijeni lidhur me skandalin e shkëmbimit të pronave shtetërore me manastirin Vatopedhio.
Në këtë skandal, që sipas analistëve shënoi edhe fundin e qeverisjes se tij, janë marrë të pandehur ish-shefi i kabinetit të z. Karamanlis, Joanis Angjelu, dhe tre ish-ministra të Demokracisë së Re.
Skandali i manastrit Vatopedhios, tronditi nga themelet sistemin grek të drejtësisë, dhe uli ndjeshëm besimin e grekëve në sistemin e tyre politik.
Në letrën që iu dërgua ish-kryeministrit Karamanlis, ky i fundit ftohet të hedhë dritë mbi fakte dhe ngjarje të ndodhura gjatë qeverisjes së tij që nga viti 2004 deri në 2009.
Ndonëse ende nuk është bërë i ditur qendrimi i zotit Karamanlis, burime pranë Demokracisë së Re, thanë se ish-kryministri do të dëshmojë përpara komisionit gjatë ditëve të ardhshme.
Pak ditë më parë, bashkëshortja e ish-ministrit grek të rendit, Jorgos Vulgaraqis, dëshmoi përpara komisionit parlamentar të ngritur për këtë çështje, se Kostas Karamanlis ishte në dijeni të këtij skandali që në fillim të proçedurave të këmbimit të pronave shtetërore me manastirin.
Ndërkohë, partia Demokracia e Re, kundërshtoi këtë qendrim të komisionit. Ajo akuzoi qeverinë dhe partinë e ekstremit të djathtë LAOS, për puç kushtetues.
Top Channel