Ive De Kermabo, i cili për dy vjet drejtoi misionin për sundimin e ligjit EULEX në Kosovë, largohet pa vendosur rend dhe ligj në pjesën veriore të vendit. 

Pas mbledhjes së bordit për sundimin e ligjit, shefi në largim i EULEX-it tha se duhet ende kohë për vendosjen e rendit dhe ligjit jo vetëm në pjesën veriore, por për gjithë Kosovën.

Ndërkaq, për herë të parë në mbledhjen e bordit për sundimin e ligjit mori pjesë Ksavier De Marnak, i cili më 15 tetor të këtij viti do të jetë shefi i ri i EULEX-it.

“Mos harroni, ne jemi këtu që të monitorojmë dhe këshillojmë, qëllimi ynë nuk është të bëjmë punën por të ndihmojmë institucionet lokale dhe këtë po bëjmë. Sa i përket situatës në veri, e dimë se nuk është e lehtë, por po bëjmë më të mirën tonë. Sidoqoftë, është një punë e përbashkët, nuk i takon vetëm EULEX-it, i takon edhe qeverisë dhe vetë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kermabo.

“Jam shumë i vetëdijshëm për frustrimet e qytetarëve për gjëndjen e krijuar në veri të vendit. Në këtë moment unë jam duke e vlerësuar situatën dhe duke dhënë qëndrimet e mia për cështje të caktuara. Por ështa akoma herët për të marrë vendime, sepse sic e thash, jam në cilësinë e vëzhguesit”, është shprehur më tej Ksavier de Marnak.

E ndërsa shefat e EULEX-it ndërrohen, por gjëndja në veri mbetet e njëjta, qeverisë së Kosovës duket se s’i mbetet gjë tjetër përpos të ftojë Brukselin dhe Uashingtonin që t’i shtojnë presionet mbi Beogradin zyrtar për të normalizuar atë pjesë.

“Jam i bindur se atje do sundojë rendi dhe ligji”, shprehet i bindur Hajredin Kuci, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Zyrtarët e EULEX-it theksuan disa herë se vendosja e rendit dhe ligjit duhet të bëhet në një situatë të qetë, duke aluduar përjashtimin e dhunës.

Shefi në largim i misionit, Ive De Kermabo, madje përjashtoi mundësinë se bisedimet Kosovë-Serbi po mbajnë peng veprimet e EULEX-it në veri.

I pyetur se nëse do t’i mbetet brengë mosarrestimi i të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”, ai përgjigjet: “Duhet durim edhe për këtë, sepse EULEX-i po punon, po punon, po punon”.

Top Channel