Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Bujar Bukoshi, kandidati për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar dje për BBC-në se ai “nuk dëshiron të bëhet mbret i LDK-së”.

Duke folur për koalicionin aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, zoti Bukoshi ka thënë se nëse do t’i fitojë zgjedhjet në parti, do të kërkojë të analizohet se si po funksionon ky koalicion dhe se vendimi për fatin e tij do të jetë në përputhje me ato që ai i quan balanca politike dhe interesa për Kosovën.

Ai tha se ka hyrë në garë për kreun e LDK-së për t’ia kthyer namin partisë, dhe jo për t’u bërë mbret i saj. Ai thotë se “vendosa të kandidoj për ta dhënë kontributin tim që LDK-ja të jetë një parti moderne dhe të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme”. Bukoshi deklaroi gjithashtu se emri që do të jetë në krye të LDK-së ka më pak rëndësi, por procesi zgjedhor i cili ka filluar në LDK duhet të ecë mbarë dhe lirshëm dhe me disa kandidatë.

Bukoshi ka përjashtuar mundësinë e përplasjes me kryetarin aktual, duke qenë një konkurrent për të njëjtin post. Ndërkaq, për kandidaturën e ish-ministrit në kabinetin e tij, Isa Mustafën, ka thënë se secili vendos për vete. Nuk është vonë, gara sapo ka filluar dhe ka kohë akoma. “Unë nuk dua të paragjykoj, por unë tashmë e kam deponuar kandidaturën time”, është shprehur Bukoshi. Pohimin se “partia nuk ka funksionuar siç duhet”, Bukoshi e ka quajtur realitet, “që mua më dikton që si një politikan që ka një përvojë modeste dhe që bazuar në pësimet e deritashme, t’i nxjerrim mësimet e duhura. Dhe pikënisja e ringjalljes ose rikonsolidimit të LDK-së janë vlerat me të cilat kjo parti ka bartur procese shumë të rënda. Tani mendoj se janë parakushtet e mira që LDK-ja ta marrë veten dhe kjo nuk është një utopi, por një realitet i bazuar në një analizë timen”, është shprehur ai.

Kandidati tashmë i deklaruar për kryetar të partisë së parë alternative në Kosovë nga koha e ish-Jugosllavisë, ka shfaqur drojën nga shpërdorimi i procesit. “Rreziku i shpërdorimit nuk duhet nënçmuar. Unë prej fillimit e kam tërhequr vëmendjen që partia të mos katandiset me veprime të cilat ne kemi përvoja të këqija, por të bëjmë një garë të ndershme dhe demokratike”, i tha BBC-së Bukoshi.

Top Channel