Akte të reja ksenofobie ndodhën në qendër të Athines. Mbrëmjen e së hënës, një grup prej rreth 500 banorësh të lagjes “Ajos Pandeleimonas”, të mbeshtetur prej anëtarëve të organizatës ekstremiste ‘’Krisi Aygji’’, kërcënuan dhe më pas sulmuan dhunshëm një grup emigrantësh aziatikë dhe afrikanë që po shisnin në tezga të improvizuara në zonë. 

Përleshjet zgjatën për gati 30 minuta, derisa forca të shumta policie që mbërritën në zonë, mundën të shpërndajnë dy grupet me ndihmën e gazit lotsjellës.

Disa prej emigrantëve u plagosën dhe u dërguan në spital, ndërsa burime policore i thanë Top Channel se ndaj tyre ekstremistët e djathtë përdorën armë të ftohta,  si thika dhe leva. Fatkeqësish mes radhëve të ekstremistëve që sulmuan emigrantët, ndodheshin edhe disa shtetas shqiptarë, banorë të zonës.                                                                                                                                                                  Shqiptarët u përfshinë përkrah ekstremistëve të djathtë, pasi sipas tyre, një javë më parë, disa emigrantë aziatike goditën me shishe një 13 vjeçar nga Shqipëria.                                                                                       
Zona “Ajos Pandeleimonas”, është një ndër vatrat më të nxehta të krimit në kryeqytetin grek. Banorët e zonës thonë se shkak i rritjes së kriminalitetit  është  numri i madh i emigrantëve klandestinë që jetojnë aty.

Ata kërkojnë largimin e tyre dhe rritjen e prezencës policore në lagjen  e tyre. Banorët thonë se emigrantët janë fajtorë për vjedhje dhe grabitje, por edhe për tregëtinë  e lëndëve narkotike, e cila lulëzon në këtë pjesë të kryeqytetit grek.

Top Channel