Kështu, siç po zhvillohen ngjarjet, duket se Bosnja dhe Hercegovina (B-H) është një krijesë artificiale, në të cilën janë të detyruar që të jetojnë tri popuj dhe se pikërisht për këtë arsye ajo duhet të ndahet.

Dhe këtë konsideratë befasuese e shpreh politikani i njohur veteran amerikan dhe ish-sekretar i Shtetit të SHBA-së në kohën e presidentëve Riçard Nikson dhe të Xherald Ford, Henri Kisinger, i cili thotë shprehimisht: “Bosnja duhet të ndahet në tri shtete të pavarura, dy nga të cilët, më pas, do të mund t’u bashkëngjiten vendeve fqinje”.

Sipas tij, fillimisht duhet të krijohet një shtet mysliman, ndërkohë që edhe dy popujve të tjerë duhet t’u lejohet që të krijojnë shtetet e tyre të pavarura ose ata të bashkohen me Serbinë dhe Kroacinë. “Vetëm në këtë mënyrë do të zgjidhej përfundimisht çështja kombëtare e të gjithë popujve që jetojnë në këto hapësira”, konsideron Kisingeri, duke shtuar më tej: “Gjuha boshnjake, ç’është e vërteta, nuk ekziston.

Nuk ekziston as kultura boshnjake. Bosnja është një njësi administrative që përbëhet nga serbë, kroatë dhe boshnjakë, e krijuar në mënyrë artificiale në hapësirat e ish-Jugosllavisë, të cilën fuqitë perëndimore, në mënyrë absurde, e njohën si shtet”, theksoi një nga ish-sekretarët më të famshëm të Shtetit në historinë e diplomacisë dhe të politikës së jashtme amerikane.

Përfaqësuesit politikë të serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve në B-H mbajtën qëndrime të ndryshme ndaj kësaj deklarate ose ideje të Kisingerit. Kryetari i radhës i Këshillit të Ministrave të B-H-së, Nikolla Shpiriç, i tha dje gazetës së përditshme serbe “Kurir” se kishte dëgjuar edhe më parë për këtë ide, por duke mos dashur që ta komentonte konkretisht këtë deklaratë.

“Ai i tha të gjitha, prandaj nuk kam se çfarë të komentoj”, vuri në dukje shkurt Kryeministri aktual i B-H-së. Zëdhënësi i Partisë Social-Demokratike (SDP) të B-H-së, Damir Mashiç, nga ana e tij, i tha gazetës së sipërpërmendur serbe, se kroatëve boshnjakë nuk u intereson fare se çfarë mendon ky amerikan dhe se atyre “nuk u bie ndërmend që të komentojnë deklarata joserioze të një njeriu joserioz”.

Më konkret, lidhur me deklaratën e lartpërmendur për ndarjen eventuale të B-H-së në fakt, ishte kryetari i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) të Bosnjës, Sulejman Tihiç, i cili theksoi se Kisingeri nuk ka aspak të drejtë. “B-H është një shtet shumetnik, ku ekzistojnë probleme të caktuara. Nuk është realiste që ta ndash këtë vend, sepse atje popujt bashkëjetojnë. Shumë nga problemet e krijuara në vend janë pasojë pikërisht e ndërhyrjeve nga jashtë. Nëse do të pranohej kjo tezë, atëherë synimet tona drejt anëtarësimit në BE do të ishin të pakuptimta”, theksoi Tihiç.

Top Channel