Komandanti i forcave të NATO-s në Kosovë, Erhard Byhler, në një intervistë për Top Channel deklaron se KFOR është gati të ndërhyjë në veri për të ndihmuar policinë dhe EULEX-in.

Por sipas tij, problemi në këtë zonë nuk mund të zgjidhet përmes mjeteve ushtarake, por përmes dialogut me qytetarët, të cilët njohin identitetet e kriminelëve.

“Situata e sigurisë në veri është e komplikuar dhe nuk zgjidhet vetëm në formë ushtarake. Nevojitet dialog i politikanëve dhe qytetarëve, që do të stimulojë një situatë më të favorshme. Ne duhet t’u kërkojmë ndihmë njerëzve që duan një jetë më të qetë. Kriminelët jetojnë në veri dhe në jug të lumit Ibër dhe qytetarët i dinë se cilët janë ata”, ka pohuar gjenerali Byhler.

Për Byhler, qetësia dhe siguria e qytetarëve, serbë apo shqiptarë, është shumë e rëndësishme.

Byhler ka folur edhe për përfshirjen e ushtarëve ukrainas të KFOR-it në kontrabandën e naftës, duke u shprehur se dënon veprime të tilla dhe se mbështet hetimet e tyre.

“Nuk mund t’ju them me saktësi se sa persona janë marrë në pyetje, por mund të them se unë i dënoj akte të tilla. Kanë filluar hetime dhe ekipet e hetuesve kanë qenë dy herë në Kosovë. Kjo ngjarje zbeh imazhin e KFOR-it dhe është mirë që ushtarët janë dënuar. Unë kam nën komandë mbi 12 mijë ushtarë dhe gjëra të tilla ndodhin”, ka shtuar Byhler.

Top Channel