Himarë, ceremoni përkujtimore për Aristotel Gumën

19/09/2010 09:10

Familjarë, miq, të afërm, banorë të Himarës, por edhe zyrtarë e politikanë nga gjiri i minoritetit, si dhe tre deputetë grekë, kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për vdekjen e Aristotel Gumës.

Rreth orës 08:00 të mëngjesit ata i janë drejtuar vendit ku u aksidentua për vdekje Aristotel Guma, i cili humbi jetën para 40 ditësh.

Më pas në kishën Shën Pandon të Himarës, mesha e kësaj të diele i është dedikuar Gumës. Mesha ka zgjatur për më tepër se tre orë dhe është zhvilluar e gjitha në gjuhën greke.

Më pas të gjithë të pranishmit i janë drejtuar varrezave të Himarës, ku fjalën e rastit e ka mbajtur Metropoliti i Gjirokastres. Pas homazheve në varreza, i janë drejtuar familjes Guma për ngushëllimet e rastit.

Në ceremoninë përkujtimore merrnin pjesë, edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryetari i Bashkisë së Himarës, Bollano, si edhe tre deputet të parlamentit grek, të partisë popullore LAOS, të PASOK, si edhe të Partisë Demokracia e Re.

Në një intervistë të dhënë për mediat, Dule, është shprehur se në të gjithë ceremoninë nuk u dha  asnjë deklaratë politike, por ajo ishte një dite përkujtimore, për Aristotel Gumën. 

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano tha se sot është ditë zie në nder të Aristotel Gumës.
“Sot ëështë ditë zie në nder të të riut që padrejtësisht humbi jetën, kaq”, tha Bollano

Forca të shumta policore kanë siguruar të gjithë ceremoninë, ku nuk është shkaktuar asnjë incident. 

Top Channel