Qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë në të ardhmen do të mund ta kalojnë kufirin duke u paraqitur autoriteteve vetëm letërnjoftimin.

Iniciativa në fjalë u diskutua sot në Shkup mes ministres së Brendshme maqedonase, Gordana Jankulovksa dhe homologut serb Ivica Dacic.

“Iniciativa është reale dhe e mundshme. Maqedonia i mbështet nismat që lehtësojnë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave”, ka deklaruar Jankulovska.

Ndërsa Dacic, nga ana e tij u shpreh se Serbia e ka aplikuar këtë regjim edhe me Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

I pyetur nga gazetarët nëse një gjë të tillë do ta bënte edhe me Kosovën dhe Shqipërinë, Dacic dha këtë përgjigje:

“Serbia e konsideron Kosovën pjesë të saj, ndërsa me Shqipërinë po punojmë për heqjen e ndërsjelltë të vizave”, ka shtuar Dacic.

Top Channel