
Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Republikane, shpjegon arsyet se përse abstenoi në votimin e ligjit të shumëdebatuar të propozuar nga demokratët, që i jep Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompetencë për të zgjidhur konfliktet e cështjeve të pronësisë.
“A është agjencia e imunizuar ndaj një gjykimi subjektiv? A i ka instrumentat e duhura dhe mekanizmat për të bërë transparencën e parregullsive që u janë bërë ish-pronarëve? Shteti do të marrë përsipër vetëm të nxjerrë në pah këto padrejtësi, apo të zgjidhë përfundimisht pronën? Për sa kohë unë shikoj që nuk ka zgjidhje, por vetëm një përsëritje të radhës, mendoj se duhet të shikojmë se si ta zgjidhim përfundimisht”, ka pohuar Mediu.
Aleat historik i Partisë Demokratike, zoti Mediu thotë se kaosi me pronat është rezulatat i padrejtësive të pushtetit ndaj pronarëve.
“Ka mendim dhe një qëndrim që, shteti është pronar i gjithckaje dhe kjo ka sjellë problemet qoftë me abuzimin, qoftë me kthimin e pronës tek pronari”, ka theksuar Mediu.
Edhe pse njeh disa zhvillime pozitive pas vitit 2005, zoti Mediu thotë se ka ardhur koha që qeveria të tregojë vullnet të qartë politik për të zgjidhur përfundimisht padrejtësitë ndaj ish-pronarëve.
“E para, të bëhet përcaktimi i fondit për kthimin e pronës tek pronari i ligjshëm. Prona shtetërore që nuk përdoret duhet të kthehet tek pronarët. Së dyti, dalja nga shtëpia e atyre që mbajnë pa të drejtë shtëpitë e pronarëve. Ligji i pronës duhet të jetë përfundimtar dhe jo të cojë cështjet nga një institucion në një tjetër”, ka shtuar Mediu.
Top Channel