Pas pesë ditësh kanë përfunduar kërkimet intensive në terrenin e liqenit Perucac, ku janë gjetur skeletet e 11 personave, që dyshohet të jenë viktima të luftës së viteve ’90 në Ballkan.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komisionit të qeverisë serbe për personat e zhdukur, Vellko Odallovic.

“Kërkimet në hapësirën prej 25 kilometrash që i takon Serbisë kanë përfunduar dje. Me këtë proces janë plotësuar kërkesat e delegacioneve për personat e zhdukur nga BeH dhe Prishtina”, ka deklaruar Odallovic.

Ai ka shtuar më tej se pavarësisht kësaj, pala kosovare kërkoi që të bëhen sërish kërkime pasi dyshon se në liqen ndodhen mbetje të tjera mortore.

Odallovic ka kujtuar se kërkimi i parë i përbashkët mes palës serbe dhe asaj kosovare u bë në vitin 2003, ku u gjet një autofrigorifer me trupat e 58 shqiptarëve.

Ndërkohë, delegacioni boshnjak dyshon se 11 skeletet e gjetura i përkasin popullsisë boshnjake, të vrarë në Vishegrad nga njësia paraushtarake serbe e drejtuar nga Millan Llukic.

Top Channel