Policia serbe ka zbuluar në qelinë e Milorad Ulemek Legija, ish-bos i klanit famëkeq të Zemunit, një sasi eksplozivi plastik të futur në lapsa.

Lajmin e bën të ditur një oficer i policisë serbe, sipas të cilit dyshohet se përmes këtyre mjeteve Legija po planifikonte arratisjen.

Sipas burimit, sasia e eksplozivit ishte futur në vend të mbushjes me ngjyrë të lapsit dhe nuk do të ishte dalluar po të mos ishte kontrolluar nga agjentë profesionistë.

Zyrtari i policisë deklaron se lapsat me eksploziv mund të jenë futur gjatë ndonjë takimi që Legija ka bërë me të njohurit e tij.

Tani, ish-kreu i beretave të kuqe është dërguar në një burg të sigurisë së lartë në Pozharevic, ku të burgosurit komunikojnë me njerëzit e tyre të ndarë nga një xham i padepërtueshëm.

Legija, i dënuar dy herë me nga 40 vjet burg, akuzohet për një numër të madh vrasjesh, përfshirë atë të ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjic.

Top Channel