
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka mbajtur dje mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera janë diskutuar edhe përshpejtimi i procedurave për zgjedhjen e krerëve të disa gjykatave të rretheve.
“Këshilli vendosi të vlerësojë me procedurë të përshpejtuar gjyqtarët që kanë kandiduar për t’u emëruar në funksionin drejtues të gjykatave të rretheve gjyqësore: Durrës, Kavajë, Fier, Lushnjë, Shkodër, Dibër, Kukës dhe në Gjykatën e Apelit Vlorë. Me këtë vendim, këshilli synon përzgjedhjen e kandidaturave më cilësore në përputhje me urdhërimet e parashikuara nga ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor”, thanë burimet nga KLD-ja.
Sipas tyre, në mbledhjen e djeshme ka filluar procesi i vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, proces i cili do të vijojë me vlerësimin e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të shkallëve të para dhe të gjykatave të apelit.
Ky vlerësim ka impakt të drejtpërdrejtë në karrierën e gjyqtarëve. Këshilli trajtoi projektvendimin mbi sistemin e pikëzimit të gjyqtarëve që kandidojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në gjykatat e apelit.
Top Channel