
Deputeti demokrat, Mark Marku ka komentuar në “Top Story” shkarkimin e ministrit Dritan Prifti.
Ai është shprehur se nuk është në dijeni të shkaqeve që cuan në ndryshimet në qeveri, por shtoi se Ilir Meta, pasi ka qënë kryeministër, ndoshta nuk ndihet shumë aktiv në vendimmarrje.
“Autoriteti i brendshëm është shumë më i rëndësishëm, qoftë edhe në fushata elektorale. Koalicioni PD-LSI nuk është një koalicion emrash dhe nuk tronditet politikisht. Le t’i kuptojmë lëvizjet politike si të tilla. Nuk mundemi të akuzojmë sepse nuk jemi prokurorë publikë. Organet e drejtësisë kanë mundësi të bëjnë hetime dhe deri sa të bëhen këto hetime nuk mund të gjykojmë”, thekson Marku.
Deputeti i djathtë shtoi gjithashtu se nuk duhet abuzuar politikisht me akuzat për korrupsion. “Vjen një moment kur duke folur vazhdimisht dhe duke akuzuar pafundësisht ne luftojmë perceptimin e njerëzve për korrupsionin. Këtu humbet ndjeshmëria publike”, shton ai.
Top Channel