Pezullohet kreu i Komunitetit Mysliman

15/09/2010 20:10

Anëtarë të kryesisë së Komunitetit Mysliman dhe kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të këtij institucioni kanë pezulluar deri në një datë të papërcaktuar kryetarin Selim Muca.

Sipas tyre, kryetari Muca me veprimet e tij ka shkelur statutin dhe ka krijuar klane dhe grupime brenda këtij instuticioni.

“Situata brenda Komunitetit Mysliman ka dalë nga kontrolli. Selim Muca ka nxitur këtë situatë duke krijuar grupime që kanë kaluar në veprime radikale dhe kërcënuese. Kanë kërcënuar strukturat e sigurisë kombëtare, duke përmendur emrin e institucionit tonë. Selim Muca pezullohet nga posti i kryetarit”, ka deklaruar një anëtar i kryesisë.

Ndërkohë, vetë kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muca ka theksuar se është në krye të detyrës edhe pse sipas tij disa individë kërkojnë të paralizojnë dhe pengojnë mbarëvajtjen e punimeve në këtë institucion.

“Individë të caktuar vazhdimisht ushtrojnë presion në mënyra të ndryshme, duke penguar në të gjitha mënyrat mbarëvajtjen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Kryetari i komunitetit është në krye të detyrës, i zgjedhur sipas statutit”, ka pohuar Muca.

Sipas statutit të Komunitetit Mysliman shqiptar, kryetari shkarkohet kur bën shkelje të rëndë të statutit, kur kryen vepra kriminale, ose me 2/3 e votave të Këshillit të Përgjithshëm.

Top Channel