Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është zhvilluar një debat i ashpër mes deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës lidhur me privatizimin e Postë Telekomunikacionit të Kosovës.

Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar privatizimin e PTK-së. Ata kanë kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të këtij procesi, pasi sipas tyre, nuk është momenti i duhur për privatizimin e kësaj pasurie shtetërore.

Debati parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të PTK-së është bërë me kërkesë të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë.

Besa Gaxherri, deputete e kësaj partie, ka kërkuar nga qeveria që t’i ofrojë Kuvendit argumente të fuqishme se me privatizimin e kësaj kompanie Kosova do të fitojë politikisht dhe ekonomikisht më shumë sesa aktualisht.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka deklaruar se për privatizimin e PTK-së ka një bazë ligjore.

Sipas tij, motivet për privatizimin e këtij institucioni janë paraqitur në strategjinë përkatëse, të cilën e kanë miratuar në parim ligjvënësit kosovarë.

Top Channel