Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një konferencë, tha se negociatat e reja me Serbinë vetëm sa do ta përkeqësojnë situatën politike dhe do ta tkurrin sovranitetin e Kosovës.

“Negociatat e reja do të kenë kuptimin e njohjes së Serbisë nga ana e Kosovës, çka do të thotë se Kosova, ndonëse e pavarur, do ta njohë Serbinë si faktor.

Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu praktikisht i pranuan negociatat e reja me Serbinë. Atyre as që u shkoi ndërmend të kushtëzojnë çfarëdo bisedimi me Serbinë me kërkimfaljen e saj për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit të kaluar, me drejtësinë dhe zhdëmtimin për viktimat e panumërta, me dëmshpërblimin për shkatërrimet e luftës të kryera nga forcat e Serbisë, me dorëzimin e kriminelëve të luftës, me çështjen e afër 2000 të pagjeturve, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, me ndërrimin e Kushtetutës së Serbisë, ku në preambulë shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, me pozitën e shqiptarëve që vazhdojnë të jetojnë të shtypur, të diskriminuar e nënpërfaqësuar kudo ku janë në Serbi, me mosfinancimin e strukturave të Serbisë në Kosovë etj.

Pika e fundit e rezolutës së AP-së të OKB-së tregon synimin e saj, pra që krerët institucionalë të Kosovës të futen në negociata. Nga përvoja dihet që pasi t’i kenë futur në negociata, kollaj do të luajnë me ta më pas. Kosova i ka institucionet e varura politikisht dhe juridikisht, kurse politikanët i ka të varur financiarisht. Hyrja në negociata në këtë pozitë, patjetër se do të rezultojë me koncesione e kompromise të reja”, tha Kurti.

Top Channel