Dy pjesëtarë policie, një i asaj kosovare dhe tjetri i EULEX u plagosën me armë zjarri si pasojë e ngjarjeve në natën mes së shtunës dhe së dielës në Mitrovicë.

Policia e Kosovës njoftoi se në radhët e civilëve janë lënduar 3 serbë e 1 shqiptar, ku njëri nga serbët në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja ndodhi të shtunën pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit mes Turqisë dhe Serbisë. Grupe të rinjsh, shqiptarë dhe serbë janë mbledhur në dy anët e urës së lumit Ibër, ku pas fitores së Turqisë, shqiptarët nisën festën.

Kjo ka nxitur reagimin e serbëve në anën tjetër të urës, ku pas rënies së alarmit qindra vetë janë mbledhur pranë urës duke nisur hedhjen e gurëve e sendeve të tjera të forta nga të dyja anët.

Në vendngjarje kanë dalë ekipet policore të Kosovës dhe të EULEX-it të cilët bllokuan për disa orë urën kryesore në Mitrovicë. Gjatë gjithë kohës janë dëgjuar edhe të shtëna armësh zjarri. Policia për të vendosur nën kontroll situatën ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa tensionet kanë vazhduar deri në mesnatë.

Top Channel