Miratimi i rezolutës së Bashkimit Evropian dhe Serbisë për Kosovën në OKB vlerësohet  cikli i fundit i përpjekjeve të Serbisë dhe aleatëve të saj, për çështjen e Kosovës.

Me t’u kthyer nga Nju Jorku, kreu i shtetit të Kosovës Fatmir Sejdiu ka mohuar zërat se edhe çështja e veriut të vendit do të jetë në axjendën e bisedimeve që pritet të zhvillohen me Serbinë.

Ai tha se, nuk do të ketë devijim nga realizimi i Pakos së Ahtisaarit, duke përjashtuar çdo mundësi të statusit special për veriun.
 
“Ka tema që janë në interes për të dyja shtetet, sikurse ajo e lirisë së lëvizjes, luftës ndaj krimit të organizuar, kthimit dhe çështja e të pagjeturve. Jo, absolutisht nuk do të jetë temë çështja e veriut”, është shprehur Sejdiu.

I pyetur nëse duhet pasur frikë se, i është premtuar Serbisë diçka me shumë në mënyrë që të heqë dorë nga rezoluta e parë e paraqitur prej saj, presidenti Sejdiu u përgjigj:

“Jo, nuk ka asnjë premtim dhe mos të mbetet askush në idenë apo spekulimet se mund të ketë diçka tjetër që lidhet me atë që nuk është publikuar realisht. Serbia e ka ditur shumë mirë se do të mundet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në atë rast është tërhequr dokumenti si i tillë. Unë them se ajo që është esenciale gjithmonë se asnjëherë nuk do të ketë bisedime për çështjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit, për çështjen e integritetit të vendit, për çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës, por do të jenë këto tema që janë në interes të bashkëpunimeve”, theksoi Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Neë York ka zhvilluar takime me ambasadorë dhe përfaqësues të Ligës Arabe, nga të cilët pret edhe njohjet në të ardhmen e afërt. Presidenti Sejdiu njëkohësisht ka shprehur dhimbjen në emër të popullit të Kosovës për qytetarët e Shteteve të Bashkuara në përvjetorin e sulmeve terroriste në kullat binjake në Nju Jork.

Top Channel