Kolumbi, vriten 8 oficerë policie

11/09/2010 11:25

Rebelët e krahut të majtë në Kolumbi kanë vrarë të paktën tetë oficerë policie dhe kanë plagosur disa të tjerë në një qytet në kufi me Ekuadorin.

Guerrilasit e FARK përdorën bomba me gaz të përziera me eksploziv për të sulmuar një komisariat policie në San Migel, në rajonin jugor të Putumajos.

Policë të tjerë kanë reaguar dhe gjatë ndjekjes së rebelëve nëpër xhungël kanë arritur të vrasin dy prej tyre.

Ky është i fundit i një seri sulmesh të kryera nga rebelët që kur presidenti Juan Manuel Santos mori detyrën një muaj më parë.

Ditën e mërkurë, në një pritë të ngritur në provincën e Kakuetës, mbetën të vrarë 14 oficerë policie.

Sipas mediave ndërkombëtare, sulmet në fjalë mund të jenë një taktikë e kreut të FARK, Alfonso Cano, për të detyruar qeverinë të ulet në bisedime.

Top Channel