Lila: Me Bylisin të bëjmë kthesën e madhe

10/09/2010 12:10

Nga eliminatoret e Euro 2012 te Kategoria Superiore, kalimi është mjaft i shpejtë. Kujtimet janë të shumta, mbi të gjitha për lojën e mirë në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, por koha në dispozicion është e pakët.

Kjo është arsyeja përse Andi Lila ka “harruar” aktivizimin si titullar dhe paraqitjen mjaft pozitive si shkatërrues përpara mbrojtjes përkrah Ervin Bulkut dhe minutat e pakta kundër Luksemburgut, e është përqendruar te Tirana e tij.

Edhe pse e kanë nisur sezonin me pretendime për të fituar titullin kampion, dy javët e para të kampionatit nuk u kanë dhënë të drejtë ambicieve të bardhebluve. Barazimi në fushën e Elbasanit në javën e parë të Superiores dhe humbja me Flamurtarin në Vlorë kanë bërë që bardheblutë të kenë vetëm një pikë në klasifikim. Lila, i cili është shndërruar në liderin e skuadrës kryeqytetase, ka komentuar situatën ku ndodhet Tirana dhe thekson se në takimin e radhës kundër Bylisit nevojiten me patjetër tri pikët.

“Jemi të detyruar të fitojmë me patjetër në ndeshjen e së dielës kundër Bylisit. Duhet të bëjmë kthesën e madhe në këtë sezon që sapo ka nisur dhe kjo mund të realizohet vetëm duke marrë pikët e plota”. Më tej, mbrojtësi shtoi: “Tirana kërkon me patjetër fitoren në këtë ndeshje, për të mos mbetur më mbrapa se rivalet tona në kampionat. Është ende herët dhe janë javët e para, por nuk mund t’ia lejojmë vetes që të shkëputemi më shumë nga kryesueset”.

Kthesa pritet edhe prej përforcimeve më të fundit të kryeqytetasve në merkato. Rikthimi i fantazistit Devi Muka, një lojtar që ka bërë diferencën në vitet e fundit me Tiranën dhe afrimi i ish-sulmuesit të Kombëtares (aktualisht golashënuesi më i mirë në historinë e kuqezinjve me 14 gola), kanë bërë që Lila të jetë mjaft optimist: “Me afrimet e reja në skuadër, jemi përforcuar në mënyrë të dukshme. Tashmë Tirana mund të pretendojë për të fituar titullin kampion”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA