
Presidenti afgan Hamid Karzai ka deklaruar se prifti amerikan Terry Jones as që duhet ta mendojë idenë e djegies së Kuranit.
“Kemi marrë vesh se një prift ka vendosur të djegë Kuranin. Ne i themi se as që duhet ta mendojë ta bëjë këtë gjë”, ka pohuar Karzai.
Por prifti protestant ende nuk ka hequr dorë nga plani i tij, pavarësisht apeleve të bëra nga liderë nga e gjithë bota, përfshirë nga presidenti Obama.
Ndërkohë, Karzai i ka përsëritur apelin e tij kreut të talebanëve, Mullahut Omar, që të negociojë paqen në Afganistan.
“Shpresojmë që Omar Akhund të bashkohet me procesin e paqes dhe të heqë dorë nga atentatet mizore që shkaktojnë viktima mes burrave, grave dhe fëmijëve”, ka pohuar Karzai.
Apelet e Karzait drejtuar guerrilasve kanë filluar që në vitin 2005, por deri më sot ato kanë rënë në vesh të shurdhët.
Top Channel