Një ngjarje në kufijtë e skandalit diplomatik në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe pikërisht në ditën e hapjes së tij.

Diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme për draft rezolutën e sponzorizuar nga Bashkimi Europian në bashkëpunim me Serbinë është shtyrë pikërisht prej refuzimit të Serbisë.

Arsyet për këtë janë sepse Serbia ka kundërshtuar praninë e delegacionit kosovar në vendin ku do të zhvillohet diskutimi.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç nuk pranon të futet në sallë pa dalë prej saj delegacioni kosovar, çka ka krijuar një situatë të paprecedentë tensioni.

Delegacioni kosovar ishte parashikuar të ishte i pranishëm në seancë në cilësinë e të ftuarit, duke marrë parasysh faktin që është pjesë e delegacionit të Shqipërisë.

Kredencialet e tij janë miratuar me kohë nga Sekretariati i Kombeve të Bashkuara, dhe delegacioni kosovar ka qënë brenda rregullave dhe proçedurave.

Por këto proçedura po refuzohen nga Serbia. Aktualisht delegacioni kosovar po zhvillon konsulta me diplomatë të ndryshëm për këtë çështje.

Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por një delegacion i nivelit të lartë, i përbërë nga kryeministri, presidenti dhe ministri i jashtëm prej disa ditësh po ndjekin nga afër zhvillimet në Nju Jork.

Një ditë më parë Serbia pranoi variantin e ri të rezolutës për Kosovën, ku mes tjerash ka hequr dorë nga bisedimet për statusin e Kosovës.

Top Channel