Në komisionin parlamentar të ekonomisë u diskutuan ndrsyhimet në ligjin për “investimet e huaja”, ku qveria bëhet palë me insvestitorin e huaj nëse ndaj pronës së tij në Shqipëri ka pretendime nga një palë e tretë.
“Në momentin që palët e treta hapin një proces gjyqësor dhe pengojnë vazhdimin e punimeve nga investitori, qeveria i thotë që do të përfaqësoj unë para palëve të treta, në mënyrë që të vazhdojë investimi. Kështu shmangim dhe dënimet nga gjykata e arbitrazhit”, ka deklaruar Eduard Halimi.
Por sipas përfaqësuesve të opozitës, ky propozim i qeverisë diskriminon biznesin vendas.
“Bëhet një mbrojtje për investitorët e huaj dhe vetëm të huaj. Është një mbrojtje që nuk u jepet investitorëve vendas që kanë po aq potenciale sa edhe investitorët e huaj. Ky projektligj diskriminon investitorët vendas. Duam të dëgjojmë edhe grupet shqiptare të interesit, si Dhoma e Tregtisë, Konfindustria, etj”, është shprehur deputeti socialist Sajmir Tahiri.
Sipas drafitit të ri, aktiviteti i investitorit të huaj nuk ndërpritet me vendim gjykate edhe pse ndaj tij mund të ketë një pretendim. Deputetët socialistë e quajtën këtë shenjë mosbesimi të qeverisë ndaj gjyqësorit.
“Nuk arrij te kuptoj pse janë kërcënim vendimet e gjykatave shqiptare për investitorët e huaj, sa janë këto vendime, a e përkrahin legalitetin e gjykatave shqiptare?”, ka deklaruar deputeti socialist Pandeli Majko.
Për këto ndryshime të paraqitura nga maxhoranca, opozita dyshon se bëhen për të mbrojtur interesat e klaneve të qeverisë.
Deputeti socialist Sajmir Tahiri tha se kërkoi të dijë se cfarë garancie do t’u jepet shqiptarëve që ky ligj nuk do të mbrojë kompani të tilla si ato të Fazllic apo Diverolit. Diskutimet për projektligjin pritet të vijojnë ditën e premte në një tjetër seancë të komisionit.
Top Channel