Edhe pse ka tri ditë që ka startuar viti i ri shkollor 2010-2011, kushtet e disa shkollave në Tiranë paraqesin probleme në infrastrukturë e higjienë.
Në kryeqytet numërohen disa shkolla ku ka mungesë bankash, klasash, apo ku konstatohet prania e mykut dhe lagështisë.
Këto probleme rëndojnë mbi shëndetin e mësuesve dhe nxënësve që mësojnë për 6 orë me radhë çdo ditë.
Të vënë përballë kësaj situate Drejtoria e Shëndetit Publik, ka paralajmëruar shkollat që shfaqin këto probleme të marrin masa për përmirësimin e kushteve, në të kundërt do t’i mbyllin ato.
“Si infrastrukturë, si godinë është tejet e konsumuar. Mjedise të ngushta, mungesa e tualeteve dhe pllaka të dëmtuara që i përkasin viteve ’70-’80 janë disa nga detajet më fatkeqe të kësaj shkolle”, tha Ndue Kolndreka, drejtor i shkollës 9-vjeçare “Ahmet Gashi”.
Ai sqaroi se Bashkia e Tiranës, me përjashtim të disa investimeve të vogla nuk i ka rikonstruktuar asnjëherë ambientet, të cilat lënë shumë për të dëshiruar, duke nisur që nga dyshemeja e deri te bankat ku nxënësit mësojnë.
Nxënësit thonë se për shkak të lagështirës së madhe, sëmuren shpeshherë.
“Shkolla që paraqitet me më shumë probleme është pikërisht “Ahmet Gashi”, në njësinë bashkiake nr.11 në Laprakë, e cila është e amortizuar në totalin e saj. Pra, jo vetëm në godina, po duke filluar që nga dyert, dritaret, hidrosanitaret, bazat materiale dhe palestrat. Ne ishim në dijeni të këtyre problemeve, por krahas kësaj vendosëm ta hapnim në mënyrë që fëmijët të mos shpërndaheshin për momentin, meqenëse ishte edhe dita e parë e shkollës”, tha Besa Shehu, inspektore në Drejtorinë e Shëndetit Publik.
Nga ana tjetër ajo pohoi se do të këmbëngulin për mbylljen e kësaj shkolle.
Por kjo nuk është shkolla e vetme në Tiranë, që nuk plotëson kushtet. Janë edhe 5 shkolla të tjera të cilat kanë probleme.
Në raportin e inspektimit, shkolla me probleme infrastrukture dhe higjiene rezulton të ketë edhe “Mihal Grameno”, “Osman Myderizi”, “Siri Kodra”, “Vasil Shanto” dhe “Kongresi i Lushnjës”. Sipas inspektorëve, këto shkolla kanë marrë paralajmërime për përmirësimin e kushteve, në të kundërt do të merren masa më të rrepta deri në mbyllje të institucionit.
“Kushtet janë shumë të këqija, muri ka zënë myk me kalimin e viteve. Problem shqetësues është situata që paraqitet në tualete”, tha një prej nxënësve të kësaj shkolle.
Inspektorët e Drejtorisë së shëndetit Publik kanë sqaruar se kanë njoftuar për këtë problem instancat e bashkisë, por deri më tani nuk ka ende një zgjidhje konkrete. Sipas tyre, në rast se gjendja do të vazhdojë të jetë e njëjtë gjatë javëve në vazhdim, shkolla do të mbyllet.
Top Channel