Dukatasit gjejnë mbështetjen e prefektit të Vlorës. Pas mësymjes së tri ditëve më parë në Karaburun, ku ndanë dhe rrethuan tokat e tyre në gadishullin e Vlorës, ka reaguar institucioni i prefekturës.
Kreu i saj, Hasan Halili, ka deklaruar se mbështet kërkesat e banorëve të zonës së Dukatit, ndërkohë ka bërë thirrje që të zgjidhet sa më shpejt çështja e pronave.
Ndonëse ai nuk e ka konsideruar si të ligjshëm rrethimin me tela në një zonë ushtarake, ai ka thënë se banorët e Dukatit kanë kërkuar të sensibilizojnë institucionet shtetërore.
“Banorët e Dukatit kërkojnë të sensibilizojnë qeverinë shqiptare, por edhe agjencinë e AKKP-së. Kësaj të fundit unë i kam dërguar shkresë zyrtare jo vetëm për Dukatin, por edhe për fshatra të tjerë. Ata duhet të kryejnë detyrën, që të zbatojnë ligjin dhe gjithë vendimet e qeverisë për zgjidhjen e këtyre problemeve, në të kundërt është e drejtë e qytetarëve që të bëjnë padi në gjyq. Po ta shikosh nga pikëpamja ligjore, banorët nuk janë kundër ligjeve, pasi ka një problem shumë delikat në këtë pikë. Një pjesë nuk ka dokumente arkivore, por një përqindje e vogël ka dokumente të tilla. Ndërkohë që kanë kaluar 15 vjet, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje, duke humbur kështu besimin te institucionet”, ka thënë prefekti.
Ndërkaq, kreu i prefekturës ka nënvizuar se është kundër çdo mase antiligjore që kanë ndërmarrë apo do të ndërmarrin dukatasit.
“Përpara disa muajsh kam bërë dy ose tre takime me përfaqësues të kësaj lëvizjeje dhe u kam shpjeguar se atyre u njihet nga Kushtetuta e drejta për të protestuar, por në mënyrë absolute nuk duhet të dhunonin institucionet, bllokonin rrugët, apo të cenonin individë të veçantë”, ka thënë prefekti Halili, duke shtuar se institucionet duhet të veprojnë sa më shpejt në këtë moment delikat.
Të dielën e kaluar, banorët e Dukatit u drejtuan në këmbë drejt gadishullit të Karaburunit, për të vendosur kufijtë e pronave të tyre.
Për shkak të bllokimit të rrugës nga postblloku i bazës së Pashalimanit, të rinj dhe të moshuar kanë ecur më këmbë për më shumë se tri orë.
Ata rrethuan rreth 3 km katrorë tokë me tela dhe paralajmëruan se kështu do të veprojnë më të gjitha pronat që nuk po u kthehen.
Vendimi u mor pas mbledhjes së Kuvendit të madh të Dukatit, ku pleqësia e fshatit njohu pronësinë mbi bazë të dokumentacionit që disponojnë banorët. Banorët e Dukatit prej gati një viti kanë zhvilluar protesta për njohjen e pronësisë mbi tokat e tyre.
Ata kanë bllokuar shpesh herë qarkullimin në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, ndërkohë që para pak javësh bllokuan Bashkinë e Orikumit.
Ata kërkuan takim me kreun e bashkisë, Kanan Braho, ndërkohë që nuk lejuan hyrjen e administratës brenda ambienteve të godinës së bashkisë.
Top Channel