Kronologjia e privatizimit të ekspozitës

07/09/2010 19:45

Në deklaratën për shtyp, ish-ministri i Ekonomisë, zoti Ruli, pretendoi se Top Channel, që kryhen një pjesë të aktivitetit të tij në ambjentet e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, ka qenë njoftuar shumë kohë më parë për privatizimin e këtij objekti.

Por letërkëmbimi zyrtar me ministrinë e zotit Ruli, sic është bërë publik edhe një vit më parë, tregon të kundërtën.

Top Channel i ka kërkuar këtij dikasteri informacion për privatizimin e ish-ekspozitës që prej shtatorit të vitit 2008.

Kërkesa për t’u vënë në dijeni për ecurinë e procesit të shitjes së ish-ekspozitës është përsëritur sërish në dhjetor të vitit 2008 dhe më pas në 3 mars të vitit 2009.

Por kërkesat e Top Channel janë injoruar nga Ministria e Ekonomisë. Dhe vetëm në mars të vitit 2009, Top Channel lajmërohej për herë të parë se ministria kishte nisur procedurën e privatizimit, fare pak muaj përpara se po zoti Ruli të firmoste në ditën e fundit të mandatit si ministër përfundimin e privatizimit dhe të kërkonte zgjidhjen e kontratës.

Një tjetër fakt i rëndë që cënon procesin është se Ministria e Ekonomisë, në kohën që drejtohej nga zoti Ruli, nuk i është përgjigjur as kërkesës së Top Channel për të marrë pjesë sikundër e parashikon ligji, në privatizimin e ish-ekspozitës edhe pse kishte plotësuar kriteret ligjore të kontratës së lidhur me ministrin e Ekonomisë për kryerjen e investimit dhe numrin e punonjësve.

Por zot Ruli vendosi prishjen e njëanshme të kontratës, duke privatizuar befas ambjentet ku Top Channel prej disa vitesh prodhon disa nga programet me të spikatura të tij.

Top Channel vazhdon t’i paguajë në mënyrë të rregullt qeranë sipas kontratës Ministrisë së Ekonomisë, ndërkohë që ndodhet në proces gjyqësor për cështjen e privatizimit me këtë dikaster.

Top Channel