Prezenca e Njësisë Speciale të Kosovës në veri të vendit, si duket ka mobilizuar njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë MUP, të cilat operojnë në veri të Mitrovicës, por edhe më gjerë.

Agjencitë e lajmeve serbe por edhe ato kosovare njoftojnë se, të hënën në ora 10.00 në Zveqan, është mbajtur një mbledhje urgjente e krerëve të njësive të MUP-it, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë paraqitja e mundshme e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Thuhet se, kryeshefi i Punëve të Brendshme të Serbisë për rajonin e Mitrovicës, Xhorxhe Dragojeviq, ka urdhëruar të gjithë komandantët e njësive të MUP-it, që veprojnë në veri të intensifikojnë patrullimet e këtyre njësive, si dhe të sulmohen pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, në rastet të paraqitjes së tyre.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe i ashtuquajturi kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.

Ky reagim vjen pas deklarimeve të fundit të Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi por, edhe të zyrtarëve ndërkombëtarë të cilët patën paralajmëruar se për çdo problem në veri të Mitrovicës, atje do të dërgohen Njësitë Speciale të Kosovës.
 
Një bisedë telefonike lidhur më këtë çështje Ministri i Brendshëm, Rexhepi tha se, këto iniciativa të strukturave paralele serbe,  nuk e zmbrapsin vendimin për dërgimin e Njësisë Speciale në veri sa here që do të ketë nevojë.  
 
Rexhepi tha se, veriu i Kosovës do të trajtohet njësoj si çdo pjesë tjetër e Kosovës, dhe sipas tij, çdo nismë e cila ka për qëllim destabilizim e vendit nuk do të lejohet.
 

Top Channel