
Bashkia e Tiranës ka miratuar një zonë të posaçme për institucionet në mënyrë që zyrtarët që punojnë në këto ambiente, të kenë mundësi të parkojnë automjetet e tyre.
Shkak për krijimin e këtyre “kushteve” është bërë Plani i Qarkullimit të Qendrës së kryeqytetit. Bashkia ka bërë funksional sheshin përpara ish-bustit të diktatorit Hoxha, duke bërë vizimet dhe sinjalistikën e nevojshme. Zgjidhja e përkohshme e disa vendeve të parkingut do të ndikojë në lehtësimin e trafikut në kryeqytet deri në përfundimin e punimeve të qendrës së Tiranës.
Në kuadër të këtij plani, bashkia u bëri thirrje dje të gjitha institucioneve që cenohen nga Plani i Qarkullimit të Qendrës që të respektojnë vendparkimet e caktuara prej saj, duke mos i parkuar mjetet e tyre në vendet që janë ndalim qëndrimi. Në të kundërt, drejtori i Transportit dhe Lëvizshmërisë në bashkinë e kryeqytetit, Enton Punavija, bëri të ditur se policia bashkiake nuk do të ngurojë të marrë të gjitha masat ligjore për shkelësit.
“Në vijim të zbatimit të Planit të Qarkullimit për Qendrën e Tiranës, bashkia ka mundësuar këtë territor si vendparkim për të gjitha mjetet e institucioneve, të cilët cenohen nga Plani i Qarkullimit të Qendrës. Sot duhet të ishte dita e parë që ky vendparkim të funksiononte, por ai vazhdon të jetë ende i pambushur”, tha Punavija. A
i sqaroi se, edhe pse Bashkia u ka bërë komunikime zyrtare të vazhdueshme gjatë javëve të kaluara institucioneve që “preken” nga ky plan, vendparkimet janë ende jashtë funksionit. “I bëjmë apel të gjitha institucioneve se respektimi i vendparkimeve të përcaktuara nga ana e Bashkisë së Tiranës për mjetet e tyre, është shumë i rëndësishëm për lehtësimin e trafikut, duke qenë se parkimi është një nga elementët kryesorë të qarkullimit”, theksoi drejtori i Transportit. Punavija tha gjithashtu se në ditët në vijim, në qoftë se në vendet të cilat tashmë janë ndalim-qëndrimi gjenden mjetet e këtyre institucioneve, policët bashkiakë do të marrin të gjitha masat ligjore për spostimin e tyre.
Top Channel