Ashtu siç pritej, kryeministri Papandreu ka bërë lëvizjen politike për të cilën dukej se kishte nevojë vendi, duke reformuar qeverinë e tij, vetëm 11 muaj pas ardhjes në fuqi të socialistëve në tetorin e kaluar.

Reformimi është komunikuar rreth orës 1 e 35 minuta të mëngjesit të së martës nga zëdhënësi i qeverisë, Jorgos Petalotis dhe përmban ndryshime strukturore në më shumë se 11 ministri, krijimin e një ministrie të re, vendosjen e shtatë ministrave plotësues, hyrjen në qeveri të 17 personaliteteve të tjera politike, duke krijuar një kabinet me 45 anëtarë, nëntë më shumë se qeveria e mëparshme.

Ndryshimet kanë filluar me Ministrinë e Jashtme, ku Papandreu i ka lënë stafetën, ministrit plotësues Dhimitris Dhrutsas.

Ndërsa është krijuar ministria e re e Presidencës, që ka marrë shumicën e kompetencave të Ministrisë së Brendshme dhe të pushtetit lokal, ku është vendosur bashkëpunëtori më i besuar i Papandreut, Janis Ragousis, me objektiv kryesor koordinimin e qeverisë.

Gjithashtu është shndërruar ministria e Ekonomisë, në ministrine e Zhvillimit, ku drejtimin e saj e ka marrë Mihalis Hrisohoidhis, pas një pune të mirë si Ministër i Mbrojtjes së Qytetarit. Lëvizje të posteve ndërministrore ka pasur në dikasteret e Ekonomisë, së Shendetësisë, se Rendit, të Punës etj.

Kanë ngelur të pandryshuar në skemën qeveritare zëvëndesministri Theodhoros Pangalos, ministri i Financave Jorgos Papakonstandinou, ministrja e Arsimit Anna Dhiamantopoulou, ministri i Mbrojtjes Evangelos Venizelos, i Drejtësisë Haris Kastanidhis, i Kulturës Pavlos Gjerulanos, i Infrastrukturës, Transporteve dhe Rrjeteve, Dhimitris Repas.

Qëllimi i kryeministrit Papandreu në këtë reformim, është të rifreskojë kabinetin e tij, të çojë më tej masat e marra në rrugën e vështirë për daljen e vendit nga kriza dhe të ndryshojë pozitivisht opinionin publik në favor të socialistëve, në prag të zgjedhjeve lokale të muajit Nëntor.

Top Channel