
Vazhdojnë polemikat në Itali për shkarkimin nga posti i kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini.
Kryeministri Berlusconi dhe lideri i Ligës së Veriut Bossi u takuan të hënën dhe bënë të ditur se do të kërkonin një takim me Presidentin e Republikës Napolitano, për t’i kërkuar atij shkarkimin e kryetarit të Dhomës së Deputetëve.
Në fakt Liga e Veriut ka kërkuar edhe që të bëhen zgjedhje të reja sa më shpejt. Është folur për fundin e muajit nëntor. Por ka qënë kryeministri Berlusconi ai që ka frenuar hapin që dëshiron të ndërmarrë Liga, duke propozuar më parë një takim me presidentin për t’ë paraqitur sipas tyre situatën e rëndë që shkakton probleme serioze në funksionimin e institucioneve.
Nga Pallati i Presidencës është bërë e ditur se nuk është paraqitur ende asnjë kërkesë për takim nga ana e kryeministrit Berlusconi, apo Bossi. Por ky i fundit ka insistuar në idenë e shkarkimit të Finit, duke thënë se duhet pritur derisa të vijë momenti i duhur për të kërkuar takimin me presidentin Napolitano.
Ai ka vazhduar të insistojë edhe në çështjen e zgjedhjeve, duke shtuar se do të ishte më mirë që të bëheshin shpejt, pasi sipas tij nuk është gjë e mirë që të jesh në një situatë të përbaltur.
“Do të dijmë çfarë të bëjmë pasi të kemi takuar Napolitanon këto ditë” ka thene Bossi.
Gazetaret e kanë pyetur nëse do të ketë dorëheqje masive nga ana e deputetëve të Popullit të Lirisë dhe Ligës së Veriut, dhe sipas mediave italiane lideri i Ligës së Veriut ka bërë një shenjë si për të thënë “pak a shumë”.
Kryetari i grupit të finianeve Italo Bocchino e ka gjykuar vendimin e Berlusconit dhe të Bossit për të kërkuar shkarkimin e Finit në Presidencë, si politikisht të papranueshëm dhe një akt të rëndë institucionalisht, pasi sipas tij, shkel principin e kushtetutës, mbi ndarjen e fuqive.
Kritika ka patur edhe nga opozita. Kryetari i Partisë Demokratike Bersani ka thënë se institucionet nuk janë në dispozion të Berlusconit dhe të Bossit, duke shtuar me ironi, se ata duhet t’a fusin në kokë këtë detaj të vogël.
Ndërkohë, kundërshtari i rreptë i Berlusconit, Antonio Di Pietro, e mbështet idenë që Berlusconi të shkojë në presidencë, por për të dhënë dorëheqjen e tij ama.
Top Channel