Tenderët, 175 raste të hetuara për shkelje

06/09/2010 08:10

Pavarësisht sistemit elektronik, që garanton siguri për të dyja palët, sërish bizneset ngrenë pretendime se u bëhen padrejtësi nga entet shtetërore gjatë fazës së zhvillimit të tenderëve.

Vetëm për periudhën janar-korrik 2010, pranë Avokatit të Prokurimeve janë paraqitur rreth 175 ankesa nga biznesi për çështje që kanë të bëjnë me tenderët.

Një pjesë e mirë e ankesave trajtonin rastet e “s’kualifikimeve pa të drejtë”, “shkelje të afateve”, “moszbatim të fondit limit”.

Për të gjitha ankesat e paraqitura, Avokati i Prokurimeve ka nisur hetime paraprake administrative, ndërsa për rastet specifike çështjet janë trajtuar me grupe pune të posaçme.

Megjithatë, burime zyrtare nga Avokati i Prokurimeve, bëjnë me dije se numri aktual i ankesave i krijuar deri në fund të muajit korrik konsiderohet më i ulët se ai i vitit 2009, ku për të njëjtën periudhë kishin paraqitur ankesa mbi 230 biznese.

Pjesa më e madhe e shkeljeve lidhet me institucionet qendrore, kryesisht për procedurat e shërbimeve dhe të blerjes së mallrave.

Por edhe komunat nuk mbeten pas, ku pjesa dërrmuese kanë probleme me sistemin elektronik për zhvillimin e tenderit.

Vetëm përmes prokurimit publik, qeveria humbet mesatarisht në vit nga shkeljet e kryera rreth 6 milionë dollarë. Në çdo raport vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) konstatohen raste të shkeljes së ligjit, pavarësisht rekomandimeve të dhëna për respektim dhe zbatim rigoroz të neneve të tij.

Numri aktual i ankesave konsiderohet më i ulët se ai i vitit 2009, ku për të njëjtën periudhë ishin ankuar mbi 230 biznese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA