Kriza, Ruci: Oferta jonë mbi tavolinë

06/09/2010 12:30

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci deklaroi se opozita është gati për zgjidhjen e krizës politike, mjafton që mazhoranca të tregojë vullnet pozitiv.

Duke theksuar se PS tashmë e ka hedhur në tryezë ofertën e saj për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me shumicë dhe drejtim nga opozita, ndërsa për fletët e votimit, të pranohet cdo opinion që do të japë Komisioni i Venecias.

“Kohë për të humbur nuk ka, në të kundërtën nuk do të kemi asnjë ofertë për ju, por vetëm ofertën për cdo shqiptar të ndershëm që do të futet në aksionin tonë dhe që do të ndalojë vetëm kur garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Ruci.

Sipas tij, kriza në vend nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike, ndërsa siguria është në nivele shumë të ulëta. Po ashtu Ruci ngriti shqetësimin e rritjes së papunësisë dhe uljes së nivelit të të ardhurave, ndërsa qeveria pretendon se në vend ka progres ekonomik, duke gënjyer hapur qytetarët shqiptarë.

“Pranoni se jemi të fundit në Evropë për liberalizimin e vizave dhe tregojini shqiptarëve të vërtetën se qeveria është e fundit në përmbushjen e reformave. Kërkojini falje qytetarëve shqiptarë për pengesën që i keni sjellë në lëvizjen e lirë”, tha Ruci.

Top Channel