Infrastruktura në shkolla, Shamata: Përgjegjës pushteti lokal

06/09/2010 21:40

Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata ka fajësuar pushtetin lokal për infrastrukturën e dobët në disa shkolla në zona të thella të vendit. Sipas tij, kjo gjendje vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë së kryetarëve të komunave të këtyre zonave.

“Një kryetar komune kërkon të shtojë stafin dhe të lërë pa investuar në godina. Dhe këta kryetarë nuk sjellin projekte për ndërtimin e shkollave në ministri”, është shprehur Shamata në emisionin “Shqip”, në Top Channel.

“Një nga politikat arsimore që nuk janë thjesht sektoriale, është decentrailzimi i sistemit. Ne jemi në rrugën e decentralizimit. Që në 2006-ën Ministria e Arsimit fondin e investimeve ja ka kaluar bashkive dhe komunave. Ministria shpall buxhetin për investim dhe komunat e bashkitë paraqesin projekte”, tha Shamata.

“Ky proçes ka dhënë frutat e veta dhe ne do të vazhdojmë në të ardhmen të decentralizojmë të tjera kompetenca dhe ne jemi në këtë rrugë. Unë mendoj që ne duhet të arrijmë që shkolla të bëhet një komunitet dhe komuniteti të marrë pamjen e shkollave”, theksoi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta