Shtrenjtohen edhe produktet bujqësore

05/09/2010 20:00

Përveç produkteve ushqimore, vala e rritjes së çmimeve ka kapur edhe produket bujqësore. Tregtarët thonë se ka rreth 2 javë që për një pjesë të konsiderueshme të produkteve ka pasur rritje çmimi që ka shkuar edhe sa dyfishi i çmimit të mëparshëm.

Nëse para 2 javësh me 100 lek mund të blije edhe 3 kg domate apo kastraveca, sot cmimi i tyre shkonte deri në 70-80 lek për kilogram.

Po kështu rritje çmimi ka pasur edhe për produktet qepë, patellxhan, speca, rritje që ka variuar nga 10-30 lek për kilogram.

Sipas shoqatës së tregtarëve thuajse 90 % e tregut furnizohet me prodhime bujqësore të vendit dhe janë fermerët ata që shkaktojnë dhe rritjen më të madhe për çmimet e produkteve.

Fermeri shqiptar duhet të përballojë vetë të gjitha kostot e prodhimit, duke marrë një rimbursim minimal apo në rastin më të keq të mos i subvencionohet asgjë nga shteti, dhe kjo e detyron atë të shesë produktin me çmime të larta.

Por duket se një rritje e lehtë ditore e çmimit vjen edhe nga tregtarët e vegjël, të cilët  rrisin çmimin e produktit duke u munduar të përballojnë humbjet që do të kenë në ditët më pas nga firot që pëson malli.

Fundi i sezonit të prodhimeve vendase ka sjellë gjithashtu rritje çmimesh, pasi sipas tregtarëve produktet e vendit janë me pakicë dhe këto po zëvëndësohen nga mallrat e  importit.

Rritja e çmimeve u komentua edhe nga deputeti socialist, Ervin Bushati i cili tha se e gjithë kjo situatë është produkt i monopolit qeveritar në ekonomi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA