Kosovë, përurohet katedralja “Nënë Tereza”

04/09/2010 18:55

Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë hapi dyert për besimtarët katolikë. Në nder të përvjetorit të vdekjes së humanistes së madhe Gonxhe Bojaxhiu dhe ende pa përfunduar punimet.

Katër vite më parë gurthemeli i kësaj katedrale ishte vënë nga ish-presidenti Ibrahim Rugova. Katër vite pas, në këtë Katedrale më përmasa madhështore po mbahet ceremonia e parë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve presidenti i Republikës përcolli porosinë e presidentit të ndjerë Rugova, i cili kishte përkrahur aq shumë ndërtimin e kësaj shtëpi të krishterë. Nga ky vend i paqes,  presidenti Sejdiu iu bëri thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin atë.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe i dërguari i posaçëm i Vatikanit, Imzot Zef Gashi. Më pas, në nder të përvjetorit të humanistes Gonxhe Bojaxhiu, u mbajt edhe një koncert i filarmonisë së Kosovës, ndërsa të pranishëm ishin edhe zyrtarë shumtë vendas dhe ndërkombëtarë.

Top Channel