Në fshatin Kushnin, rreth 30 km në dalje të qytetit të Prizrenit, jeton Shaqa Shatri, identiteti i të cilit shfrytëzohet nga ish-agjenti Ilir Kumbaro në Angli.

Teksa përpiqemi të gjejmë shtëpinë e Shaqa Shatrit të vërtetë, rrugës shfaqen bashkëfshatarët e tij të cilët pa ndonjë problem na çojnë në drejtim të saj.

Pak kilometra më tutje saktësisht një rrugë më poshtë se përmendorja e heroit të betejës së Kosharës, Hysni Temaj, ndodhet shtëpia e 65 vjeçarit nga Kushnini i Prizrenit, Shaqa Shatrit. Ai është me profesion bukëpjekës, ndërsa mohon çdo lidhje të mundshme me ish-agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro.

E ka të vështirë të flasë sepse është i operuar nga kordat e zërit, por nipi i tij na ndihmon që sado pak të njihemi me situatën. Ai thotë se ia kanë vjedhur në autobus dokumentet e identifikimit në vitin 1993, në Tiranë.

Megjithë vështirësitë e tij, Shaqa Shatri i vërtetë, arrin të shpjegojë edhe pamjen fizike të personave të cilët ai mendon se i vodhën dokumentet.

“Ka qenë i gjatë, i veshur bukur, me një mantel të gjatë, më është ngjitur për trupi, sepse ka pasur shumë njerëz në autobus, siç duket në ato momente mi mori dokumentet. Ai person ka zbritur te ‘Nëntë katëshi’, në Tiranë. Unë kam zbritur te ‘Zogu i zi’, në Tiranë, dhe e kam parë që nuk i kisha dokumentet. Atje kam qenë duke shkuar për t’i marrë një palë syze”, deklaroi Shatri.

Pas kthimit në Kosovë Shaqa Shatri thotë se shpalli pavlefshmërinë e dokumentave duke i bërë të rejat nga e para. Tani ai ka letërnjoftimin e Republikës së Kosovës dhe nuk i vjen aspak mirë që identiteti i shfrytëzohet nga dikush tjetër.

“Nuk më vjen mirë, nuk më ka ardhur mirë, as atëherë dhe as tani. Sidomos kur kam dëgjuar për Ilir Kumbaron, por nuk kam çfarë të bëjë, ai ka pasur mundësi ta bëjë këtë gjë dhe e ka bërë”, është shprehur ai.

Shaqa Shatri nga Kushnini i Prizrenit mohon se është kontaktuar ndonjëherë nga shteti shqiptar, përveç nga gazetarët. Megjithatë ai thotë se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e shtetit dhe aq më pak të ketë lidhje me Ilir Kumbaron.

Top Channel