Hondurasi është vendi i 70-të i cili ka njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë një bisede telefonike nga Hondurasi ministri i Jashtëm Ilir Meta deklaroi se kjo njohje çel siparin për njohje të tjera pas opinionit këshillimor të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Jam shumë i kënaqur që nëpërmjet Top Channel, t’i uroj gjithë qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e saj, për këtë njohje të re, por shumë kuptimplotë bërë sot nga Hondurasi, e cila është jo vetëm e 70-a, por është edhe e para pas opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi dhe që absolutisht jam i sigurt që çel siparin edhe për shumë njohje të tjera, që do të vijnë pikërisht pas studimit që vendet e interesuara, i kanë bërë këtij opinioni që kanë qenë tepër pozitiv për pavaresinë e Kosovës”, është shprehur Meta.

Ai ka bërë thirrje që Serbia t’i dëgjojë me përgjegjshmëri mesazhet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të tërhiqet nga iniciativa e njëanshme, sepse kjo nuk i shërben stabilitetit në rajon. Ministri i Jashtëm shqiptar deklaroi se në dy javët e ardhshme do të vijojë një tur në Nju Jork për të patur një komunikim intesiv në lidhje me sqarimin e fakteve negative që sjell iniciativa serbe.

“Pas përfundimit të kësaj vizite, unë do të jem në Nju Jork dhe do të qëndroj në Nju Jork, kryesisht për këtë çështje deri në ditën që do të diskutohet dhe votohet projektrezoluta e propozuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, theksoi Meta.

Top Channel