
Bisedimet në Bruksel ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë për tekstin e një rezolute të re ose tërheqjen e plotë të saj janë përqendruar në ndryshimin e qëndrimeve të Beogradit zyrtar ndaj mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në veçanti bisedave me Prishtinën.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian sipas BBC-së pohojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte tërheqja e plotë e rezolutës serbe, por kanë shfaqur shpresën për arritjen e një kompromisi me qeverinë serbe deri në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Një presion diplomatik është bërë mbi Beogradin në javën e fundit, përmes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, që i kanë bërë me dije Serbisë se rruga e saj drejt Bashkimit Evropian mund të vështirësohet në rast të mosarritjes së një zgjidhjeje me Brukselin për rezolutën.
Autoritetet serbe kanë bërë me dije se janë të gatshme për kompromis, por kanë këmbëngulur në qëndrimin e tyre se Rezoluta nuk mund të shkelë “vijat e kuqe” për Serbinë.
“Bisedimet në Bruksel po zhvillohen intensivisht, janë ndërmjetësuar nga Spanja, një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thonë autoritetet serbe.
Top Channel