Nëse Beogradi dhe BE-ja merren vesh për ndryshimin e Rezolutës mbi Kosovën, teksti që ndodhet para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së do të korrigjohet përmes amendamenteve, shkruante dje gazeta “Politika” e Beogradit.

Gjithsesi ende nuk dihet se cila pjesë e tekstit mund të ndryshonte. “Politika” citon burime, sipas të cilave bisedimet rreth përmbajtjes së amendamentit ende nuk kanë filluar dhe se me BE-në janë zhvilluar vetëm konsultime. Atëherë kur të jetë e sigurt se do të jetë e mundshme ujdia, përkatësisht se është gjetur “zgjidhja e pranueshme për të dyja palët, që do të ruante edhe interesin tonë nacional”, delegacioni serb do të udhëtojë për në Bruksel, ku me zyrtarët e BE-së do të punojë në tekstin e amendamenteve, pohon “Politika”, duke cituar burimin nga qeveria e Serbisë.

Edhe analistët politikë britanikë, nga ana e tyre, vlerësojnë se vizita e ministrit të Jashtëm britanik në Beograd është provë e qartë e forcimit të presionit mbi Serbinë, që kjo e fundit ta mbyllë më në fund, çështjen e Kosovës. “Mbi Serbinë po ushtrohet një presion i përbashkët që ajo ta pranojë, më në fund, pavarësinë e Kosovës. Britania e Madhe dhe Gjermania duan që për vendet e Ballkanit Perëndimor të vlejnë të njëjtat kushte dhe një nga kushtet kyç për hyrjen në BE është ai se nuk ka probleme kufijsh për vendet ballkanike që aspirojnë të hynë në BE”, i tha BBC-së analisti politik britanik Mark Almond, profesor i Universitetit të Oksfordit.

Por, sidoqoftë, sipas shenjave ekzistuese, të paktën në pamje të jashtme, duket se Beogradi zyrtar nuk po lëviz nga llogorja e vet, pra vazhdon t’i përmbahet me kokëfortësi qëndrimit të vet të deritanishëm se nuk do ta njohë Kosovën e pavarur si shtet të ri. “Nuk besoj se do të ketë ndonjë gjë të re edhe me rastin e kësaj vizite. Një lëshim të kësaj natyre askush nuk ia ka kërkuar hapur Serbisë. Pavarësisht nga gjithçka, ne nuk kemi ndërmend që ta njohim Kosovën”, citon “Kuriri” një zyrtar të lartë të qeverisë serbe, të cilit nuk ia përmend emrin, duke theksuar se Serbia, siç duket, nuk do të heqë dorë nga projektrezoluta që ajo ka paraqitur tanimë në OKB.

Analisti politik i njohur serb, ish-ambasador në Paris dhe tani profesor universitar i fushës politike në Beograd, Predrag Simiç, nga ana e tij, vë në dukje me rastin e vizitës së shefit të diplomacisë britanike në Beograd, se duket qartë se misioni dhe mesazhi i Hegue janë të njëjtë me ata të ministrit gjerman Westerwele. “Po kështu duket se është. Fjala është për presione, sepse pas shefit të diplomacisë greke, në Beograd erdhi ministri i Jashtëm gjerman, kurse tani edhe ky i Britanisë së Madhe. Kjo e fundit është një partnere serioze prej një kohe të gjatë e SHBA-së, kështu që mesazhi që sjell Hague mund të konsiderohet edhe si mesazh i Uashingtonit. Duket se BE-ja nuk do kompromis, por vetëm kërkon tërheqjen e projektrezolutës serbe për Kosovën në OKB”, vë në dukje analisti politik serb Simiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA