Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm prioritet do të kenë infrastruktura rrugore dhe turizmi.
Duke kërkuar që buxheti të finalizohet brenda muajit, Berisha foli gjatë për turizmin, pushtimin e plazheve publike dhe ndotjen masive kryesisht në plazhin e gjirit të Durrësit.
“Ministria e Turizmit duhet të dorëzojë një projektligj që do t’u garantojë turistëve në zonat bregdetare plazhe publike. Plazhet private do të jenë me një përqindje të caktuar, ndërsa për ndotësit e hapësirave do të ketë sanksione”, tha Berisha.
Kryeministri theksoi se nuk do të lejohen ndërtime 100 metra në distancë nga bregu, pasi ajo ka qenë dhe mbetet tokë publike.
Berisha theksoi se buxheti i vitit 2011 do të jetë më i madhi në historinë e vendit, ndërsa shtoi se një tjetër prioritet do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve. Po ashtu ai përmendi edhe fondin për Shqipërinë dixhitale.
Top Channel